Shuhet familja në autostradën Levan-Vlorë

Nga A2 CNN
25 Qershor 2021, 10:47 | Kronikë
Shuhet familja në autostradën Levan-Vlorë

Bilanc lufte mund të cilësohen pasojat e aksidentit tragjik të ndodhur mëngjesin e së premtes, në autostradën Levan-Vlorë, pranë vendit të njohur si “Kriporja”. Si pasojë e përplasjes së dy mjeteve, njëri prej tyre ku udhëtonin katër persona të një familjeje, ka dalë nga rruga, duke pësuar dëme të tilla që nuk lejonin identifikimin e markës së mjetit.

Për pasojë, katër persona, dy të rritur dhe dy minorenë, anëtarë të së njëjtës familje kanë ndërruar jetë.

Ndërsa te mjeti tjetër, i përfshirë në aksident, janë plagosur tre persona, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Mjeti ku ndodheshin viktimat ishte një Toyota me targa greke, ndërsa mjeti tjetër, Audi.

Familja e shuar në aksident, sipas policisë, ishte nga Patosi dhe jetonte e punonte në Greqi.

Sakaq, segmenti i autostradës Levan-Vlorë është bërë shpeshherë skenë e aksidenteve automobilistike, ku në të gjitha rastet, shkaktare kryesore ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.

E ndonëse aksidentet nuk kanë munguar, patrullat e policisë në këto ditë vere, që ka edhe shtim të trafikut, kanë munguar si me prezencë, ashtu edhe me matje të shpejtësisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos