Policia e Shtetit ka ndërmarrë një fushatë kontrollesh ndaj mjeteve që kanë rezultuar të rrezikshëm për sigurinë rrugore në Tiranë.
Makinë shpeshherë luksoze, me problematika që shkojnë nga xhamat ballorë të errësuar në mënyrë të paligjshme, por edhe për mosrespektimin e shpejtësisë, përdorimin e celularit, parakalimet e gabuara dhe drejtimin nën efektin e alkoolit ose lëndëve narkotike.
Në kuadër të këtij aksioni, autoritetet policore njoftojnë se janë proceduar 23 drejtues për shpejtësi të tepërt, madje edhe gara shpejtësie të mirëfillta.
Për errësimin e xhamave janë proceduar administrativisht 29 persona, ndërkohë që 131 kishin si shkak përdorimin e aparatit celular dhe 56 parakalimet e gabuara.
Për drejtim mjeti, nën efektin e alkoolit, janë proceduar në mënyrë administrative 22 drejtues, ndërkohë që 5 të tjerë janë arrestuar në flagrancë.
Ndërkohë, 1130 të tjerë janë gjobitur për kundërshtim të rregullave të qarkullimit. (A2 Televizion)