
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi nga Korça ka folur për herë të parë për mediat lidhur me aksionin e policisë në kampin e muxhahedinë të MEK pak ditë më parë.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se ndërhyrja e policisë ka qenë konform gjithë ligjeve të shtetit shqiptar dhe se ne “nuk mund të lejojmë krijimin e ishujve të vegjël ku tejkalohet ligji shqiptar”.
“Normalisht që në këtë komunitet do të vijojmë të jeni vend pritës dhe do të plotësojmë gjithë angazhimet humanitare që kemi ndërmarrë, por pa shkelur asnjë ligj të shtetit shqiptarë”, është shprehur Peleshi.
Me tej Peleshi u ndal te raporti me Republikën Islamike të Iranit, nisur edhe nga akuzat e muxhahedinëve për qeverinë shqiptare në protestën që zhvilluan pak pas largimit të forcave të policisë nga kampi “Ashraf 3”.
Ministri deklaroi se asgjë nuk do të mund të justifikojë sulmin kibernetik të orkestruar nga Irani ndaj shtetit shqiptar. Ndaj për këtë arsye ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin sipas Peleshit ka qenë një veprim i drejtë i qeverisë shqiptare dhe i guximshëm sepse fatkeqësisht Irani ngelet një fuqi në botën kibernetike.
“Ne do të reagojmë në çdo moment që cënohet siguria kombëtare. Pas atij sulmi jo të suksesshëm nga ana e Iranit shteti shqiptar ka ndërmarrë disa masa në sigurinë kibernetike për të mbrojtur të dhënat tona dixhitale. Dekurajojmë çdo forcë desktruktive që ti afrohet Shqipërisë pasi Shqipëria është vend i NATO, ne reagojmë me trimëri dhe forcë kur cënohet siguria kombëtare”, tha Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes po ashtu është ndalur te marrëdhëniet e tensionuara Kosovë-Serbi. Peleshi i ka kërkuar palës serbe lirim e menjëhershëm të 3 policëve kosovarë, ndërkohë që ka shtuar se nuk duhet të ketë parakushte për të shkuar drejt tavolinës së dialogut.
Ai ka bërë me dije se Kosova dhe Bosnje Hercegovina janë sy vende të brishta në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut duke qenë pjesë e NATO janë shumë më të sigurta. (A2 Televizion)