Akuzat e Metës ndaj Bashës, Duka: Duket sikur zgjedhjet u shtynë për të, Ndoka: Kreu i PD nuk donte të ishte kryeministër

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2021, 20:47 | Politikë
Akuzat e Metës ndaj Bashës, Duka: Duket sikur zgjedhjet u shtynë

Në emisionin “Debat” në A2 CNN janë komentuar nga të ftuarit dhe deklaratat e fundit të presidentit Ilir Meta, i cili më herët gjatë ditës u shpreh se Lulzim Basha iu përgjërua në Berlin për të shtyrë zgjedhjet parlamentare të 30 qershorit të vitit 2019.

Agron Duka, u shpreh se nuk e pranon këtë lloj retorike dhe shtoi se një deklaratë e tillë nga ana e presidentit bën të duket sikur ai vendosi të shtyjë zgjedhje pikërisht sepse iu lut kreu i opozitës.

“Po që të thotë burri ka ardhur, ka kërkuar, është ulur në gjunjë, është përgjëruar, ndërkohë që këto janë probleme private. Ti pse nuk i the përpara këto? Del pastaj sikur ti i paske shtyrë zgjedhjet vendore sepse t’u përgjërua Basha. Nga ana tjetër, ky tjetri thotë ja dimë bëmat dhe gjëmat. Po kur ia ditke bëmat dhe gjëmat, përse u bëre aleat më të? Ti ishe në të njëjtën llogore. Nuk e kuptoj këtë lloj gjuhe. Njeriu duhet të jetë i sinqertë në raport me gjuhën”, u shpreh Duka.

Për kreun e LZHK, Nard Ndoka, presidenti Meta ka mbajtur përherë një qëndrim koherent përsa i përket periudhës së tensionuar para zgjedhjeve lokale që u bojkotuan nga opozita. Ndoka shtoi se Basha është peng i marrëveshjes së 18 majit 2017 dhe se nuk donte të ishte kryeministër dhe këtë e tregoi dhe me mbajtjen larg të LSI në zgjedhjet e fundit.

“Ilir Meta e ka pasur shqetësim permanent, madje na ka thërritur në mënyrë institucionale të gjitha partitë në një takim në Presidencë dhe shqetësimet e tij ishin ato që deklaroi sot. Unë e kam bindje se Lulzim Basha është peng i marrëveshjes së 18 majit 2017 nga Soros dhe Rama. Që në 2017 Basha nuk është moralisht kreu i PD, e tregon historia e tij në vazhdimësi. Ai i fali pushtet Edi Rama. Ia thashë në sy. Ne ishim në zyrën e tij dhe nuk e hapte zarfin e marrëveshjes. Basha ka pasur një agjendë dredharake dhe me LSI.  Nëse LSI do të ishte me opozitën, Lulzim Basha do të ishte kryeministër. Basha nuk donte as vetë të ishte kryeministër. Nuk diskutohet që ka pasur dhe një porosi nga Rama që unë të jem jashtë listave. Nëpërmjet Ramës unë mora vesh që unë nuk do të isha në listat e Bashës”, tha Ndoka në A2. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos