
Policia e Shtetit ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike se në vend është rikthyer kultivimi masiv i kanabisit.
“Policia e Shtetit shpreh keqardhje për deklaratën e PD-së lidhur me situatën e parandalimit e luftën kundër kultivimit të kanabisit. Çdo rast i tentativës për kultivim që është konstatuar është goditur dhe personat përgjegjës janë dërguar para drejtësisë. Rasti më i fundit ishte në Zall Dardhë të Dibrës, ku u procedua penalisht kryetari i Njësisë Administrative, kryeplaku i fshatit dhe u shpallën në kërkim 3 autorë të dyshuar. Foton e këtij rasti PD e serviri për publikun si rast në qarkun e Vlorës, ndërsa një foto tjetër si rast në Kukës, e cila në fakt daton disa vite më parë (viti 2016)
Sipas Policisw, “çdo ditë, mbi 125 grupe kontrolli, 30 dronë dhe helikopteri i Policisë po ushtrojnë kontrolle të pandërprera në të gjithë territorin. Falë bashkëpunimit me partnerët vijon monitorimi nga ajri me avion special nga Guardia di Finanza.
Dhjetëra zyrtarë lokalë e të administratës, që ligji i ngarkon me përgjegjësi për të bashkëpunuar me Policinë për parandalimin e kultivimit të kanabisit, janë proceduar dhe arrestuar, sikundër jo të pakta janë rastet kur punonjës policie i janë nënshtruar hetimit disiplinor apo procedimit penal.
Janë dhjetëra persona të arrestuar e proceduar si autorë e përkrahës të krimit në tentativën për të kultivuar apo trafikuar kanabis dhe të gjitha këto tregojnë se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për ta luftuar deri në fund këtë veprimtari kriminale.
Është demotivuese për forcat e Policisë e në dëm të interesave të vendit, sulmi që po bën PD ndaj punës së Policisë së Shtetit. Ky angazhim është vlerësuar dhe përkrahur nga partnerët, të vendosur përditë krah tyre në operacione të përbashkëta”. (A2 Televizion)