
Partia Socialiste reagoi përmes sekretarit të përgjithshëm dhe drejtuesit të fushatës së Elbasanit, Taulant Balla, për padinë që po përgatit PD, sipas së cilës qeveria ka përdorur portalin e-Albania për të marrë të dhëna konfidenciale të 910 mijë votuesve nga mosha 19 deri në 99 vjeç, duke cenuar privatësinë e qytetarëve.
Duke i quajtur demokratët shpifës të dëshpëruar, Balla deklaroi se databaza e të dhënave të socialistëve është e krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit.
“Quhet punë në terren kjo dhe bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamuj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja!”
Ishte ky reagimi i Ballës ndaj akuzave të Partisë Demokratike se janë shfrytëzuar të dhënat e portalit të shërbimeve qeveritare e-Albania për zgjedhjet. (A2 Televizion)