Akuzat e Ramës ndaj SPAK, Presidenca dhe opozita njëzëri: Presion që të mos preket PS

Nga A2 CNN
7 Maj 2022, 18:49 | Politikë
Akuzat e Ramës ndaj SPAK, Presidenca dhe opozita njëzëri: Presion

Përmes zëdhënësit, Ilir Meta riktheu akuzat ndaj Edi Ramës për presion ndaj drejtësisë dhe si bashkëpunëtor të ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardjan Dvorani, për bllokim të Gjykatës Kushtetuese.

“Dvorani pengoi me çdo mjet, qëllimisht dhe për llogari vetëm të Ramës, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke falsifikuar, manipuluar e shkelur Kushtetutën dhe ligjet e drejtësisë, vetëm e vetëm për të siguruar pandëshkueshmërinë e Ramës. Është e qartë se mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga partia, është thirrja publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë në zbatimin e drejtësisë me regji, se përndryshe do kenë pasoja”, shkroi Tedi Blushi në rrjetet sociale.

Krahun, Presidentit ia afroi edhe bashkëshortja Monika Kryemadhi, e cila shigjetoi Ramën nga një aktivitet rinor i LSI-së, duke e quajtur si subjekt të mundshëm të SPAK-ut. 

Partia Demokratike ndërkohë i konsideroi akuzat e kryeministrit Edi Rama si gjuhë të koduar që drejtësia të mos prekë korrupsionin ku socialistët janë të përfshirë.

PD bën thirrje ndaj SPAK-ut që të veprojë i pandikuar dhe pa dallime politike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos