
Në mbledhjen e Asamblesë Socialiste, kreu i qeverisë Edi Rama e akuzoi Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), edhe për hetimin ndaj ish-gjyqtarin Ardian Dvoranin, pas një denoncimi të Metës. Rama u shpreh se e gjithë Shqipëria mezi pret që ta shohë para dyerve të SPAK, Presidentin aktual, Ilir Meta.
“BE e ka lënë me shkrim, kur të ulemi në tryezën e negociatave do na thonë është sa prokurorë dhe gjykatës të korruptuar janë marrë ne hetim dhe vënë para drejtësisë, zero. E kundërta është e vërtetë, kampioni anti-korrupsionit është futur në hetim nga SPAK për një denoncim të kujt, të atij që jo unë por gjithë Shqipëria, mezi pret ta shohë para SPAK-ut, Ilir Metës. Po si qenka kjo. SPAK bën sahatin zviceran me Ardian Dvoranin që jeton në një apartament të para viteve ’90”, u shpreh Rama.
Por në reagimin e tij, këshilltari i Presidentit Meta thotë se të gjithë shqiptarët duan të dinë çfarë e detyron Ramën, që të kthehet në avokatin e Dvoranit.
“Është e qartë, se mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga partia, është thirrja publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë në zbatimin e drejtësisë me regji, se përndryshe do kenë pasoja. Rama-Dvorani dhe Dvorani-Rama binomi i pandarë i antishtetit, dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit, falsifikimit të dokumentave zyrtarë dhe kapjes së shtetit për llogari të partisë. Koha e opozitarizmit” të tredhur nga korrupsioni qeveritar po skadon me shpejtësi” thuhet ne reagimin e Tedi Blushit. Sipas tij asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e skandaleve të narkoqeverisë.
Reagimi i plotë i zëdhënësit të presidentit:
Të gjithë shqiptarët mezi po presin të dinë ÇFARË E MBAN PENG “Dvoranin” e Qeverisë tek Dvorani i “Drejtësisë”?
Të gjithë shqiptarët e dinë se:
1. Dvorani pengoi me çdo mjet, qëllimisht dhe për llogari vetëm të Ramës, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke falsifikuar, manipuluar e shkelur Kushtetutën dhe ligjet e drejtësisë, vetëm e vetëm për të siguruar pandëshkueshmërinë e Ramës.
2.Dvorani u provua zyrtarisht se fshehu pasurinë.
3. Por Vettingu i partisë në mënyrë skandaloze dhe të paligjshme mbylli sytë për këtë fshehje të pasurisë dhe ky është fakt që nuk mbulohet dot kurrë.
4. Shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit për Dvoranin e partisë-shtet i vërtetoi botërisht edhe Komisioni i Venecias.
5. Nëse do të ekzistonte vërtet Reforma në Drejtësi, Dvorani do të duhej të ishte i pari përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.
Të gjithë shqiptarët duan të dinë çfarë e detyron Ramën, Kampionin e Korrupsionit që e ktheu Shqipërinë një narkoshtet dhe të dytin në botë për korrupsionin, që të kthehet në Avokatin e Dvoranit?
Është e qartë, se mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga partia, është thirrja publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë në zbatimin e drejtësisë me regji, se përndryshe do kenë pasoja.
Rama-Dvorani dhe Dvorani-Rama binomi i pandarë i antishtetit, dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit, falsifikimit të dokumentave zyrtarë dhe kapjes së shtetit për llogari të partisë.
Koha e “opozitarizmit” të tredhur nga korrupsioni qeveritar po skadon me shpejtësi. Çkapja e shtetit nis nga çkapja e opozitarizmit.
ASGJE NUK DO TA NDALË ZBARDHJEN E SKANDALEVE TË NARKOQEVERISË SADO TË GULÇOJË GRUAJA E BILALIT! (A2 Televizion)