
“Piva gabimisht ilaçet e zemrës së gjyshit”. Ky ishte argumenti i pabesueshëm, të cilin Kamila Valieva e paraqiti përpara panelit të CAS dhe falë të cilit mori dritën jeshile për të vijuar konkurrimin në “Pekin 2022”.
Ylli rus i patinazhit në akull rezultoi pozitive me trimetazidinë. Bëhet fjalë për një medikament i cili shërben si parandalues për isheminë, duke kufizuar luhatjen e presionit të gjakut dhe stabilizon ritmin e rrahjeve të zemrës. Testi B i 15-vjeçares ruse do të analizohet së afërmi, për të konfirmuar prezencën e substancës së ndaluar në trupin e saj.
Por, heqja e pezullimit të Valievës ka shkaktuar reagime të shumta, jo vetëm në opinionin publik, por edhe sportistëve. Në situatën e krijuar, Komisioni i Atletëve Olimpikë ka kërkuar dënime më të ashpra për trajnerët dhe prindërit, të cilët shtyjnë sportistët e rinj që të përdorin doping, për të arritur rezultate të larta.
Për momentin, Valieva i shpëtoi ndëshkimeve, për shkak të moshës minorene, diçka që parashikohet në statutin e Agjencisë Botërore të Antidopingut. Por, sipas shoqatës së atletëve, për shkeljet e një sportisti, përgjegjës janë edhe njerëzit të cilët qëndrojnë pranë tyre dhe ata duhen dënuar në mënyrë më të ashpër. (A2 Televizion)