
Kamila Valieva do të vijojë të garojë në Olimpiadën Dimërore. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS), i dha të drejtë patinatores 15-vjeçare, pavarësisht se ajo ka rezultuar pozitive në testet antidoping.
Edhe pse duket se talentja ruse e kaloi këtë situatë të vështirë, vendimi nuk e përjashton mundësinë që Valieva të pezullohet në të ardhmen.
CAS njoftoi se hodhi poshtë apelin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të Agjencisë Botërore Antidoping dhe të Unionit Ndërkombëtar të Patinazhit, duke e lejuar sportisten që të marrë pjesë në garën individuale të patinazhit artistik, e cila do të zhvillohet, këtë të martë.
Një nga faktorët që ndikoi në vendimin e gjykatësve ishte statusi si “atlete e mbrojtur”, duke përfituar nga kodi i Agjencisë Antidoping, sipas të cilit, një atlet që nuk ka mbushur 16 vjeç nuk mund të akuzohet formalisht për doping.
Gjykata e Arbitrazhit konfirmoi se u regjistruan “probleme serioze me njoftimin e rezultatit të kontrollit të dopingut” dhe kjo “ndikon në aftësinë e sportistes për të vendosur disa kërkesa ligjore në përfitim të saj”.
Valieva rezultoi pozitive më 25 dhjetorin e kaluar, gjatë kampionatit kombëtar rus, me një ilaç që njihet se kuron problemet e zemrës dhe të qarkullimit të gjakut, por që është në listën e substancave të ndaluara. Fakti që ajo rezultoi pozitive u komunikua nga laboratori i WADA-s vetëm më 8 shkurt, pak orë pasi patinatorja konkurroi në garën ekipore, ku ndihmoi Rusinë të fitonte medaljen e artë olimpike. (A2 Televizion)