
Novak Djokovic është shprehur se do të mungojë në turnetë e radhës në tenis, nëse e detyrojnë që të vaksinohet ndaj Covid-19.
Në një intervistë ekskluzive për BBC, tenisti serb tha se nuk është aspak “anti-vax”, por mbron të drejtën e individit për të zgjedhur.
Kur u pyet nëse do të sakrifikonte “Grand Slam”-e si Wimbledon apo Roland Garros, Djokovic u përgjigj: “Po, jam i gatshëm që ta paguaj këtë çmim. Nuk kam qenë kurrë kundër vaksinës, i kam bërë të gjitha vaksinat kur kam qenë i vogël, por mbështes të drejtën e zgjedhjes së çdo personi”.
Tenisti shtoi se shpreson që rregulli i vaksinës të ndryshojë nëpër turnetë e tenisit, por konfirmoi se nuk do të luajë aty ku vaksina është me detyrim.
“E kam marrë këtë vendim, pasi ajo që fus në trupin tim është më e rëndësishme se çdo titull. Dua të respektoj organizmin tim sa më shumë të jetë e mundur”, tha Djokovic. (A2 Televizion)