
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për akuzat e opozitës në lidhje me çështjen e ndërtimit të portit të ri të Durrësit.
“Armiqësia kundër investimit më të madh në rajon, i cili do ta transformojë Durrësin në një ndër destinacionet kryesore turistike të Mesdheut, duhet t’iu shërbejë të gjithë durrsakëve për të parë fytyrën e armiqve të së ardhmes së Durrësit; o me Durrësin në majë, o me ata në plehra!”, shkroi Rama mëngjesin e të mërkurës në Twitter.
Në një tjetër postim, pak orë më pas, Rama i quajti "maskaragjozllëqe" ato që po thuhen për projektin, të cilin e cilësoi "madhor". "Edhe hapësira e paanë mediatike në dispozicion të të paudhëve që po e luftojnë projektin si djalli temjanin, janë pasqyra e ligësisë që e ndjek këtë vend si mallkim qysh në vitin 1912!", tha Rama.
Partia Demokratike dhe ajo e Lirisë, thonë se pas projektit për ndërtimin e portit të ri fshihet një aferë korruptive. Sipas Sali Berishës, në të janë përfshirë që nga presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por edhe ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha.
“Pasi ka vjedhur 420 milionë euro me firmën e tij për ndërmarrjen e tij të djegësve, vërsulet i tërbuar për të vjedhur 1 milion metër katror tokë në një sipërmarrje, shumë shpejt do e njihni, me dokumente false. 60 për qind të aksionerëve janë Edi Rama dhe Lulzim Brava dhe mafiozët e tyre. Po organizojnë në Durrësin e Shqipërisë vjedhjen më të tmerrshme në histori”, tha Berisha në një konferencë për mediat më 14 nëntor.
Pas pesë orësh debate, ku nuk munguan akuzat, gjuha fyese e largimet nga salla në shenjë proteste, Komisioni për Ekonominë dhe Financat dha pëlqimin për lidhjen e marrëveshjes mes Qeverisë së Shqipërisë dhe grupit të kompanive për ndërtimin e Portit e ri të Durrësit. Mbledhja, e cila u mbyll me dhënien e pëlqimit vetëm nga shumica qeverisëse, nisi me përplasjen mes socialistit Braçe dhe deputeti demokrat, Edmond Spaho. Shkak u bë mosprania e ministres Balluku në komision.
Në marrëveshje, kompania pretendon se do të investojë 2 miliardë euro, për ndërtimin e portit, apartamenteve dhe hoteleve. Në marrëveshje, ndër të tjera, parashikohet një arkëtim prej 3,2 miliardë eurosh, 1,2 miliardë euro neto fitim. Gjithsej është parashikuar që të ndërtohen deri në 2,2 milionë metra katror sipërfaqe banimi, brenda vitit 2026.
Të premten, Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një padi ndaj asaj që e cilëson si aferën e Portit të Durrësit. Nënkryetari Oerd Bylykbashi, njëherësh deputet i qytetit bregdetar, deklaroi se PD-ja kërkon nga Kushtetuesja të mos lejojë grabitjen e një pasurie publike, që sipas tij, i jepet kompanive offshore të lidhura me pushtetarët. (A2 Televizion)