
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka finalizuar hetimin disiplinor ndaj magjistrates Pajtime Fetahu, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e akuzuar për korrupsion pas publikimit të disa fakteve të transmetuara në një emision investigativ në vitin 2017, ku magjistratja kundrejt një shume monetare kishte marrë përsipër aplikimin e minimumit të dënimit për një të pandehur në paraburgim, që akuzohej për tre vepra penale.
KLD pezulloi magjistraten nga detyra dhe hetimi disiplinor, gjithashtu u pezullua, deri në përfundim të procedimit penal.
Me administrimin e dosjes nga Ministria e Drejtësisë e më pas edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka konkluduar se hetimi ndaj magjistrates ishte i paplotë, prandaj vendosi vijimin e hetimit për të njëjtën shkelje disiplinore, duke evidentuar se veprimet e magjistrates janë kryer me dashje dhe në mënyrë të përsëritur dhe se “janë ndërmarrë veprime, që përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të rregullave të solemnitetit, të sjelljes në marrëdhënie me palët në proces, si dhe komunikimit ex parte të gjyqtares”.
ILD konstatoi në raport se pavarësisht eksperiencës së gjatë të saj në detyrë, rreth 28 vjet karrierë, gjyqtarja “ka cenuar parimin e paanshmërisë në gjykim, duke krijuar perceptimin e një zgjidhje pozitive për çështjen dhe jo për zgjidhjen e drejtë të saj”.
Për këtë arsye, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkon KLGJ-së pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj Fetahut dhe caktimin e masës disiplinore: “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40% për një periudhë jo më të gjatë se një vit”. (A2 Televizion)