
“Dita e 5-te Alan Kurdi. Moti përkeqësohet. Urojmë që mendjet e politikës të qetësohen për të bërë atë që është njerëzore. Të shpëtohen jetë njerëzish. Ju lutem, z.Muscat, na ndihmoni.”
Ky është apeli i anijes gjermane të organizatës bamirëse SeaEZE me 64 emigrantë në bord drejtuar kryeministrit të Maltës Josef Muskat. Alan Kurdi endet në det prej 5 ditësh në pritje të një konfirmimi për zbarkim në brigjet malteze. Në bordin e saj ndodhen emigrantë të shpëtuar nga varkat e udhëtimit në brigjet e Libisë.
Apeli iu drejtua një ditë më parë Italisë për të zbarkuar në portin e Lampeduzës, por kjo gjë u mohua kategorikisht nga ministri i Brendshëm Matteo Salvini, i cili u dha të drejtën vetëm grave dhe fëmijëve por emigrantet në anije nuk e pranuan të ndahen nga bashkëshortët dhe baballarët.
“Shumë mirë”, do shkruante ministri Italian në profilin e tij në Twitter. “Anija Alan Kurdi po i drejtohet Maltës. Në Itali nuk kalohet. Portet e mbyllura. Italianët të parët”.
Ndërkohë organizata bamirëse gjermane e akuzoi ministrin se nuk respektoi detyrimin për mbrojtjen e familjeve. Anija Alan Kurdi i shpëtoi emigrantët të mërkurën e 3 prillit dhe gjendja e shumë prej tyre paraqitet e rënduar. Në anije ndodhet edhe një foshnje 11 muajshe dhe një djalë vetëm 6 vjeç. (A2 Televizion)