Policia braziliane ka mbyllur një fabrikë ku prodhoheshin makina luksoze false, si Lamborghini dhe Ferrari, të cilat më pas shiteshin për një çmim më modest se sa makinat origjinale.
Efektivët e policisë bastisën fabrikën më shtetin jugor Santa Catarina dhe sekuestruan tetë makina që ishin duke u montuar. Në pranga përfunduan dy burra, babë e bir, të cilët kishin në pronësi fabrikën. Ata nxirrnin mjetet në shitje në rrjetet sociale me çmime që ndryshonin nga 45 mijë deri në 60 mijë dollarë, vetëm një pjesë e vlerës së makinave origjinale.
Sipas mediave braziliane, puna në këtë fabrikë vazhdonte prej dy vitesh. Klientët i kontaktonin përmes rrjeteve sociale dhe pasi zgjidhnin modelin dhe ngjyrën, prisnin prodhimin. Para se të merreshin me makinat e rreme, të dy personat kishin punuar për 20 vite me modifikimin e makinave sportive. Bastisja e Policisë erdhi pas ankesës nga kompanitë italiane. (A2 Televizion)