Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit në Malin e Zi është njoftuar se në 41 shkolla fillore në vend është raportuar për një bombë dhe për shkak të panikut që është krijuar, mësimi është ndërprerë në të gjitha shkollat fillore në vend, tha zëdhënësi i Ministrisë Bojan Knezevic. Drejtoria e Policisë bëri të ditur se ekipet ndodhen nëpër shkolla dhe po kryhen kontrolle. Sipas faqes zyrtare të televizionit shtetëror malazez TVCG, është konstatuar se në shkollat e Rozhajës nuk ka mjete shpërthyese.
Njësia speciale e policisë nuk ka gjetur eksploziv as në objektin e kryeqytetit, as në shkollat në Cetinje, ka thënë për Portalin RTCG, zëdhënësi i kryeqytetit, Ivan Banoviq.
“Pas kontrollimit të detajuar të objektit të Prijestonicës nuk është gjetur asnjë lëndë plasëse, kështu që punonjësit janë kthyer në punë dhe kanë vazhduar punën. Gjithashtu, lënda plasëse nuk është gjetur as në shkollat e Cetinjes që kanë marrë raportin për bombë”, ka thënë Banoviq.
Sot herët në mëngjes janë evakuuar shkollat në Podgoricë, Nikshiq, Tivar, Berane, Bijelo Polje, Kolasin, Herceg Novi, Budva, Cetinje, Andrijevicë, Ulqin, Kotor, Rozhajë, Komuna e Nikshiqit.
“Në territorin e shkollës janë vendosur shumë bomba. Ne gjithmonë kemi ëndërruar për hakmarrje. Do të marrim hak, do të vijmë në shkollë. Ne do të vrasim këdo. Askush nuk do të mbetet gjallë. I gjithë qyteti do të rrjedhë gjak”, është mesazhi që kanë marrë një numër i madh shkollash fillore. (A2 Televizion)
