Alarmi për bombë në aeroportin e Prishtinës rezulton fals

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2022, 12:39 | Kosova
Alarmi për bombë në aeroportin e Prishtinës rezulton fals

Një alarm për vendosjen e një bombe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është dhënë paraditen e sotme, gjë që shkaktoi jo pak panik mes stafit dhe pasagjerëve, të cilët prisnin të niseshin në destinacionet e tyre. Por, pas kontrolleve të Policisë, rezultoi se alarmi ishte i rremë.

Menjëherë sapo morën informacionin, Njësitë anti-eksploziv dhe policia shkuan në vendin e ngjarjes, ku bënë evakuimin e stafit dhe pasagjerëve, shumë prej të cilëve priten me orë të tëra jashtë ambienteve të aeroportit për të marrë vesh se ç’do të bëhej me udhëtimet e tyre.

“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve.”

Sqarimi i Policisë së Kosovës pas marrjes së telefonatës kërcënuese për bombë në aeroport

Megjithatë, pas kryerjes së kontrolleve dhe hetimeve të ambienteve të aeroportit, rezultoi se alarmi ishte fals, dhe pritet rikthimi i normalitetit në të. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/28/alarm-per-bombe-ne-aeroportin-e-prishtines-evakuohen-stafi-dhe-pasagjeret/

A2 CNN Livestream

Latest Videos