
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti dha një intervistë për “Zërin e Amerikës” ku foli për qeverinë e re dhe programin e tij në ditët në vijim.
Albin Kurti u pyet dhe në lidhje me bisedimet me Serbinë, pas deklaratës së tij, se ajo është pikë e 6 apo e 7 në programin e ri qeverisë.
Lideri i Vetëvendosje deklaroi se nuk është duke iu shmangur bisedimeve, por se zhvillimi ekonomik punësimi i qytetarëve, përballja me pandeminë janë nevojat më emergjente të qytetarëve të Kosovës.
“Ne nuk duam ta evitojmë dialogun e ta nënçmojmë rëndësinë e tij, mirëpo konsiderojmë se qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë zgjedhur për të sjellë drejtësi dhe punësim dhe natyrisht që është urgjente të merremi me pandeminë COVID-19. Në bazë të të gjitha matjeve të opinionit publik në Kosovë, kur i pyet qytetarët se çfarë rëndësie i jepni dialogut me Serbinë, është zakonisht në vendin e gjashtë apo shtatë, unë do të mund ta bëjë le të themi një koncesion dhe ta sjellë atë në vendin e katërt pas drejtësisë, punësimit dhe pandemisë, por nuk mund ta sjellë në top dy prioritetet.
Pra, nuk dua ta nënçmoj por edhe nuk mund të them që do të jetë në top dy prioritetet sepse po dalim nga një fitore gjigante e lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën qytetarët na votuan për atë që u duhet atyre më së shumti”, tha mes të tjerash Kurti. (A2 Televizion)