
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ridepozitoi në SPAK kërkesën për t’u informuar mbi hetimin e deritanishëm të 10 kallëzimeve për “korrupsion” të bëra prej tyre kundër funksionarëve të lartë shtetërorë.
Artistët kërkuan përshpejtim dhe rezultate nga hetimi në lidhje me procesin e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të godinës së re.
Në paditë e saj, Aelanca për Teatrin ka kallëzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion”, kryeministrin Rama, kryebashkiakun Erion Veliaj, nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, Milva Ekonomin dhe të gjithë anëtaret e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave.
Akuza lidhet me vendimin e 13 nëntorit, për miratimin e kërkesës së Bashkisë për huanë 36 milionë euro nga buxheti i vitit 2021 për ndërtimin e teatrit të ri.
Aktori Neritan Liçaj tha se SPAK duhet të bëjë njerëzit të besojnë te drejtësia e reformuar. “Çojeni bukën me dinjitet në shtëpi. Ndizini një sinjal shprese këtij populli, mos lini më që pushteti të abuzojë. Jeni ju në ballë të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Merrni shembull nga Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino. Do ta shihni që kur të shkoni në shtëpitë tuaja do të jeni krenarë”, tha ai. (A2 Televizion)