Alibeaj: 4 tendera, sekret shtetëror. Qeveria po përdor epideminë për të fshehur paratë që ka shpenzuar për pajisje mjekësore

Nga A2 CNN
6 Prill 2020, 17:31 | Politikë
Alibeaj: 4 tendera, sekret shtetëror. Qeveria po përdor epideminë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se “qeveria shqiptare ka përdorur situatën e epidemisë për të fshehur paratë që ka shpenzuar për të blerë disa pajisje mjekësore”.

“Ministria e Shëndetësisë ka klasifikuar si sekret shtetëror 4 tendera të kryer me urgjencë për blerjen e këtyre pajisjeve. Në datën 21 mars dhe 3 prill, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që me tender sekret 24 orësh të furnizohet me mjete mbrojtëse për stafet shëndetësore; të blejë kite për laboratorin e QSUT-së; të trajtojë mbetjet spitalore të pacientëve me COVID-19 dhe të blejë respiratorë për të rritur dhe fëmijë. Për të gjitha këto, Partia Demokratike kishte kërkuar që në muajin shkurt të merreshin masa, por qeveria bëri të vetmen gjë që di të bëjë mirë: Kryeministri në fillim u tall, dhe pastaj gënjeu se kishte gjithçka duhej për përballimin e situatës. Por, disa javë më vonë qeveria urdhëroi blerjet urgjente dhe i klasifikoi ata si sekret shtetëror. Kjo do të thotë se opinioni publik nuk duhet të dijë nëse qeveria i ka shpenzuar paratë e tyre në mënyrë të ndershme apo jo”, deklaroi Alibeaj.

“Duke klasifikuar tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë për COVID-19 si sekret, mungesa e transparencës është skandaloze. Ka zero të dhëna si u përzgjodhën kompanitë fituese; Ka zero informacion për ofertat e kompanive; Ka zero informacion për kriteret e cilësisë së mallit të blerë. Urdhri i Edi Ramës për klasifikimin sekret të tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë do të thotë se shqiptarët nuk lejohet të dinë sa lekë kushtuan 3 kontratat e miratuara më datë 3 prill. Duke ndaluar çdo informacion për këto tendera askush nuk llogarit dot sa kushtuan gënjeshtrat e Edi Ramës në muajin shkurt dhe mars se Shqipëria ishte e mirëpajisur dhe e përgatitur për epideminë”, shtoi Alibeaj.

Më tej, ish-deputeti theksoi: “Partia Demokratike i bën thirrje Qeverisë të bëjë menjëherë publike dosjet e prokurimit të këtyre 4 tenderave dhe të bëjë transparencë para qytetarëve për milionat e eurove që po fshihen si kontrata sekrete. Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK duhet urgjentisht të verifikojnë këto procedura prokurimi dhe të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore këdo që abuzon me paratë e shqiptarëve, që janë sot edhe më të varfër për shkak të krizës së rëndë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos