
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të republikës duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës.
Sipas Alibeajt, ky proces nuk duhet të shkojë deri në raundin e katërt të votimit në Kuvend, ku siç e parashikon dhe Kushtetuta, presidenti mund të zgjidhet vetëm me votat e mazhorancës.
“Duhet ta nisim me këmbën e mbarë, duke respektuar Kushtetutën dhe traditën e deritanishme të zgjedhjes së presidentit. Kushdo, në një ngjarje kaq të madhe, në zgjedhjen e presidentit, procesi duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Kjo duhet të jetë qasja. Të gjithë e dinë procedurën. Në raundin e katërt, ai zgjidhet me votat e mazhorancës, kjo nuk duhet përdorur si një mjet për ta futur në zarf. Kjo e bën groteske dhe jo serioze dhe tregon qëndrimin real të mazhorancës. Grupi i PD-së do të mbajë qëndrimin mbi procesin, produktin dhe kriteret. Tashmë është rutinë mbledhja e grupit, do të duhet ta vazhdojmë që kolegjialiteti të prevalojë mbi gjithçka”, u shpreh Alibeaj. (A2 Televizion)