Alibeaj shpall prioritetet për sesionin e ri parlamentar: Vettingu i politikanëve është kryereforma

Nga A2 CNN
17 Janar 2022, 17:18 | Politikë
Alibeaj shpall prioritetet për sesionin e ri parlamentar: Vettingu i

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në fjalën e parë në këtë detyrë, shpalli në Kuvend se cilat do të jenë sfidat e grupimit të tij gjatë këtij sesioni të ri parlamentar.

Zgjedhjet e 25 prillit, lufta ndaj korrupsionit, reforma territoriale, zgjedhore dhe vettingu i politikanëve, sipas Alibeajt do të jenë në fokusin kryesor të grupit demokrat.

“Nuk ka ndryshuar asgjë nga ky parlament. Këtij parlamenti I mungon legjitimiteti, nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve. Është parlament i vjedhur. Beteja e të gjithë shqiptarëve është për të pasur betejë me kreun e regjimit, Edi Rama. Kurrë nuk kemi kërkuar ndihmën e Nikollës për të zgjidhur problemet tona. Po ne i kemi ca probleme. Por ne kemi pjekurinë që t’i zgjidhim këto probleme në familjen tonë.

Një sfida ka. Ta kthejmë këtë sallë në vendin ku flitet për të ardhmen e shqiptarëve. Kjo foltore duhet përdorur për këtë qëllim. Do të vazhdojmë ta bëjmë me forcë, pavarësisht problemeve tona që tashmë i kemi kaluar. Çështja e zgjedhjeve të 25 prillit nuk do të mbulohet, do ta çojmë deri në fund. Masakra elektorale është një faturë që iu vendos shqiptarëve. Është detyrimi ynë për të bërë gjithçka për t’u kthyer votën e lirë shqiptarëve. Korrupsioni është simptoma më energjike pas vjedhjes së zgjedhjeve.

Komisioni për inceneratorët do të vijojë punën pavarësisht pengesave. Kanë dalë shumë të dhëna që e kanë bërë më imediate sforcot tona. Një nga ish-ministrat e kësaj qeverie është pa hekurave dhe është bishti i kavallit. Po të ndiqet paraja, shumë nga këto karrige do të jenë bosh.

Do të vazhdojmë për reformën zgjedhore, reale, të sinqertë, të vërtetë që targeton problemet kryesore të këtij vendi. E kërkojnë partnerët ndërkombëtarë. Ky vend nuk ka më pushtet vendor, por vetëm ca ndërtesa të quajtura bashki që brejnë para dhe punësojnë militantë. Do të kthejmë legjitimitetin në këtë parlament me kryereformën të prekshme për çdo shqiptar, vettingun politik. Kjo është sfida jetike ku duhet të kalojë gjithsecili prej nesh”, u shpreh Alibeaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos