
Doktor Ilir Alimehmeti, zv/dekan i Fakultetit të Mjekësisë, në një lidhje direkte me studion e “Dita jonë” në A2, deklaroi se hapja e shkollave ishte vendimi i duhur, pasi “transmetueshmëria nga fëmija te fëmija është e ulët”.
“Shkollat duhen hapur sepse benefitet e shkollës janë shumë të mëdha sa për të hequr dorë. Duhet të kishim një problem shumë serioz para nesh për të mbyllur arsimin. Transmetueshmëria nga fëmija te fëmija dhe nga fëmija tek i rrituri është shumë më e ulët. Gjithashtu, vetë fëmijët fatmirësisht nuk e kalojnë rëndë sëmundjen”, deklaroi Alimehmeti.
Sipas tij, gjëja e vetme që duhet bërë është shmangia e grumbullimit të prindërve në ambientet pranë shkollave.
Në lidhje me situatën e koronavirusit në vendin tonë, Alimehmeti tha: “Kemi një situatë në shtator pak më të mirë sesa në gusht. Mund të presim një rritje tani që u hapën shkollat. E rëndësishme është që spitalet po e përballojnë ngarkesën”. (A2 Televizion)