
Juventusi luan këtë të mërkurë përballë një kundërshtari të vështirë si Atalanta, aq më tepër në transfertë, por pavarësisht kësaj, Allegri më në fund ka vendosur ta ulë në stol Cristiano Ronaldon.
Në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, trajneri bardhezi është shprehur se për herë të parë ka vendosur ta ulë në stol portugezin. “Ronaldo do të jetë në stol të mërkurën. Për herë të parë, ndeshjen do ta shohim bashkë”, ka thënë Allegri.
Teksa ka folur për paraqitjet e Ronaldos këtë vit te Juventusi, Allegri ka rikujtuar edhe objektivat e skuadrës që ai drejton këtë sezon.
“Jam shumë i kënaqur për paraqitjen e deritanishme dhe shifrat e Cristiano Ronaldos, por duhet edhe të pushojë për të qenë në formën optimale për ndeshjet e muajit mars, atëherë kur janë edhe takimet vendimtare në Champions League”, tha Allegri. (A2 Televizion)