Alqi Bllako lihet në burg edhe për inceneratorin e Elbasanit

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2022, 12:56 | Kronikë
Alqi Bllako lihet në burg edhe për inceneratorin e Elbasanit

Teksa qëndronte në paraburgim si i dyshuar i SPAK për aferën e inceneratorit të Fierit, këtë të enjte ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, u përball me një masë të dytë sigurie “arrest në burg”. Kjo mase tjetër arresti ndaj ish-deputetit dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit u kërkua nga SPAK për aferën e inceneratorit të Elbasanit.

Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë, që kishte refuzuar më herët Prokurorinë e Posaçme. SPAK ka ngritur dyshime ndaj ish-zyrtarit të Lartë për “shpërdorim të detyrës” dhe “korrupsion” në aferën e inceneratorëve, në bashkëpunim me ish-eprorin e tij, Lefter Koka.

Në të njëjtën akuzë janë edhe pesë anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit. Nga hetimi rezulton se Bllako ka mbajtur kontakte përmes postës elektronike me biznesmenin e shpallur në kërkim Klodian Zoto, administratorin e “Albtech Energy”, si edhe biznesmenin Mirel Mërtiri.

Në këto biseda të sekuestruara si provë nga SPAK flitet për procedurën koncensionare, por edhe për aktivitetet private të biznesmenëve. Bllako qëndron në qeli prej 31 marsit, izolim të cilit mundi t’i shpëtojë vetëm për 34 ditë.

Po këtë të enjte, një tjetër trupë e Apelit të Posaçëm refuzoi edhe përpjekjen e radhës të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, për lirim nga qelia. Koka kishte kërkuar ndryshim të masës “arrest në burg” dhënë për inceneratorin e Fierit. Një masë e tillë i rëndon edhe për hetimin e inceneratorit të Elbasanit. Dy masat “arrest në burg” Koka i ka goditur në të tre shkallët e gjykimit, duke i arsyetuar me probleme të rënda shëndetësore, por asnjë gjykatë nuk e ka lehtësuar. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/11/15/inceneratori-i-elbasanit-spak-nxjerr-ne-skene-mirel-mertirin-rendohet-pozita-e-bllakos/

A2 CNN Livestream

Latest Videos