Altin Dumani në krye të SPAK, Rama: Procesi foli vetë, thashethemet i mori era

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2022, 17:13 | Aktualitet
Altin Dumani në krye të SPAK, Rama: Procesi foli vetë,

Kryeministri Edi Rama komentoi emërimin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. “Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e “skapjen” e SPAK-ut nga regjimi i mori era! Urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete!”, shkroi Rama në Twitter.

Për zgjedhjen e Dumanit reagoi edhe ambasada amerikane, ku përmes një deklarate e përgëzoi për marrjen e detyrës, duke vlerësuar gjithashtu dy kandidatët e tjerë, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili.

“Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar. Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore. Vlerësojmë shumë zotin Kraja për udhëheqësinë dhe përkushtimin e tij si Kryeprokurori i SPAK. Ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Në zgjedhjen e Dumanit ishte e pranishme edhe ambasadorja Yuri Kim, e cila mbërriti në godinën e Polit të Drejtësisë vetëm gjatë intervistimit të kandidatit të tretë, Edvin Kondili. Ky kandidat mori 4 vota ndërsa kandidati tjetër, Adnan Xholi mori vetëm 1 votë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/16/altin-dumani-zgjidhet-kreu-i-ri-i-spak/
https://a2news.com/2022/12/16/koha-e-pandeshkueshmerise-ka-marre-fund-ambasada-e-shba-pergezon-zgjedhjen-e-dumanit-ne-krye-te-spak/

A2 CNN Livestream

Latest Videos