
Prej kohësh, siguria në internet është kthyer në një shqetësim për agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, kjo për faktin se më të rrezikuarit janë fëmijët, edhe kur kontrollohen nga prindërit.
Ata janë më të pakujdesshëm në shpërndarjen e informacioneve dhe si rrjedhojë, janë pre më e lehtë për kriminelët e botës virtuale.
Sipas ambasadorit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, Shqipëria ka dhe popullatën më të re në rajon, ndërsa bota virtuale kërkon një kuadër ligjor të organizuar në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të janë më të sigurt në rrjet.
“Një e treta e përdoruesve të internetit në botë janë nën 18 vjeç dhe në Europë fëmijët fillojnë të përdorin rrjetin që në moshën 7-vjeçare. Interneti është një hapësirë e rrezikshme për të përhapur dhunë dhe ajo bëhet edhe më e rrezikshme kur prek fëmijët dhe ne kemi për detyrë t’i mbajmë të sigurt ata”, u shpreh ambasadori i BE, Luigi Soreca.
Sipas statistikave, në të gjithë botën më shumë se 175 mijë fëmijë lundrojnë për herë të parë në internet çdo ditë. Rreziqet janë nga më të shumtat që nga abuzimet seksuale e deri te mesazhet për qëllime terroriste. (A2 Televizion)