Ambasadorja e re e SHBA, Senati zyrtarizon Yuri Kim

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2019, 15:54 | Aktualitet
Ambasadorja e re e SHBA, Senati zyrtarizon Yuri Kim

Senati amerikan zyrtarizon Yuri Kim si ambasadoren e re të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Gjatë prezantimit të saj para Komisionit të Jashtëm të Senatit në muajin nëntor, Kim deklaroi se do të inkurajonte Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në sistemin e drejtësisë, përfshirë dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kim është shprehur gjithashtu se do të nxisë eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.

Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Ajo ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtë palëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut etj. Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, është gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos