SPAK nis punën, Kraja fjalëpak: Koha për punë, jo për llafe

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2019, 12:33 | Aktualitet
SPAK nis punën, Kraja fjalëpak: Koha për punë, jo për

8 anëtarët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe drejtuesi i saj nisën sot zyrtarisht punën në godinën ku deri dje ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Një ditë pasi Këshilli i Lartë të Prokurorisë zgjodhi Arben Krajën në krye të SPAK, ky i fundit është prezantuar si drejtues i këtij institucioni.

Ka qenë kreu i KLP Gent Ibrahimi ai që prezantoi Krajën para anëtarëve të Strukturës. Ai e cilësoi ditën e sotme një moment historik dhe tha se është i bindur që SPAK do të arrijë rezultatet e shumëpritura.

“Jam shumë i lumtur që sot, në përfundim të një procesi të gjatë, meritokratik, transparent ne kemi SPAK-un. SPAK është një akronim që edhe fëmijët tashëm e kanë mësuar. Jam i bindur që ky organ i ri do të marrë peshën e duhur në jetën institucionale të këtij, vendi duke dhënë rezultatet që të gjithë ne presim. Ky është një moment historik për të gjithë ne. Zonjën Prela e falënderoj për kontributin e saj gjatë dy viteve të fundit, në një periudhë transformimesh të mëdha, ku zyra që ajo drejtoi ishte në pritje të një transformimi të madh dhe kjo ka paraqitur vështirësi të mëdha në punën e zyrës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Tani çdo gjë është në vendin e vetë. Prokurorët e SPAK nisin sot detyrën. Fillim-viti do të jetë intensiv për të gjithë ne, në frontet përkatëse të punës”, u shpreh Ibrahimi.

Ndërsa kreu i sapozgjedhur i SPAK, Kraja falënderoi KLP për procesin transparent në përzgjedhjen e prokurorëve të Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion dhe tha se tani është koha për punë.

“Falënderoj KLP për procesin transparent dhe ligjor për zgjedhjen e 8 prokurorëve të SPAK dhe drejtuesit të saj. Besoj se bashkë me zotin Dumani dhe zotin Kondili do të bëjmë një skuadër shumë të fortë e cila do ta drejtojë me kompetencë këtë institucion. Tani koha është për punë dhe jo për llafe”, u shpreh kreu i SPAK, Arben Kraja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos