
Ka reaguar ashpër Sali Berisha ndaj ambasadores amerikane, Yuri Kim, duke e akuzuar atë se po përpiqet të ndërhyjë në procesin gjyqësor për çështjen e statutit të PD-së.
Ish-kryeministri i bëri thirrje qeverisë amerikane që të reagojë për këtë çështje, ndërsa e cilësoi si qesharak reagimin e ambasadores për incidentin që ai pati në Kuvend me Enkelejd Alibeajn.
“Një ndërhyrje qesharake nga guvernatorja. Theksoj se ka marrë fund loja me kukulla. Sot ka opozitë të vërtetë. Askush nuk i dikton opozitës akuzat që duhet të bëjë apo jo. Pashë aty dhe shqetësim për akuzat. Sot para mediave shpreh keqardhjen, por dhe denoncimin e tij për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor. Javën e kaluar iu thashë se kam informacion për dy burime. Së fundmi, guvernatorja bën takime për procesin gjyqësor, i cili nuk ka asnjë bazë ligjore. Sepse sipas Kodit Civil nuk mund të konsiderohet palë ajo që nuk është palë dhe unë këtu i bëj thirrje qeverisë së SHBA-së të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore”, u shpreh Berisha. (A2 Televizion)