Ambasadorja Yuri Kim takohet me Edi Ramën, ambasada zbardh detaje

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2022, 19:14 | Politikë
Ambasadorja Yuri Kim takohet me Edi Ramën, ambasada zbardh detaje

Ambasada Amerikane ka bërë të ditur se ambasadorja Yuri Kim ka zhvilluar një takim këtë të hënë me kryeministrin Rama.

Në njoftim bëhet e ditur se janë rishikuar arritjet në marrëdhënien SHBA-Shqipëri gjatë vitit 2022 dhe janë diskutuar mënyrat për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit gjatë vitit 2023.

Po ashtu, mësohet se Yuri Kim shprehu vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për udhëheqësinë dhe kontributet e rëndësishme të Shqipërisë gjatë vitit të parë të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Roli i Shqipërisë në KSKB ka qenë me rëndësi kritike për çështje të rëndësishme globale, përfshi mbështetjen e Ukrainës përballë pushtimit nga Rusia”.

Në takim është folur edhe për tensionet në veri të Kosovës. “Ambasadorja Kim njohu kontributet e Shqipërisë në integrimin dhe stabilitetin rajonal, përfshi gjatë thirrjeve të Shqipërisë për vetëpërmbajtje në veriun e Kosovës. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë dënuar të gjitha sulmet ndaj agjencive kosovare dhe ndërkombëtare të sigurisë si dhe kërcënimet për dhunë dhe kanosje, si dhe shprehën mbështetje të plotë për KFOR-in dhe EULEX-in. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë nxitur palët që të punojnë brenda kuadrit të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që përbëjnë shqetësim.

Ata diskutuan mënyrat për të ndërtuar më tej mbi arritjet historike në marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri, përfshi aftësitë dhe kontributet ushtarake në rritje të Shqipërisë si aleate në NATO. Ambasadorja riafirmoi mbështetjen e fortë të Shqipërisë përballë sulmeve kibernetike të Iranit”.

Ndër të tjera, mësohet se Yuri Kim ka dhënë vlerësime edhe për organizimin që Shqipëria i bëri Samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. “Ambasadorja Kim i përcolli përgëzime të ngrohta Kryeministrit për mikpritjen e suksesshme të Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, duke vërejtur se është hera e parë që një samit i tillë është zhvilluar jashtë Brukselit.

Ndërkohë, të dyja palët mësohet të kenë inkurajuar institucionet e drejtësisë të Shqipërisë të jenë të pavarura dhe të guximshme në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/08/24/reforma-ne-drejtesi-yuri-kim-kercenimet-ndaj-gjyqtareve-dhe-prokuroreve-te-papranueshme/

A2 CNN Livestream

Latest Videos