
Akti normativ është një mjet në duart e qeverisë që i lejon asaj t’u japë fuqi ligjore vendimeve në kushtet e emergjencës, pa kaluar në procedurat dhe debatet e gjata parlamentare. Këtë nevojë urgjente, ekzekutivi thotë se e ka ndjerë 18 herë nga janari i këtij viti.
Është një moment tejet i vështirë, është shumë i vështirë, dhe është një moment që kërkon patjetër diskutim, kërkon patjetër debat...
Kryeministri Rama, 6 qershor, Parlament
Fuqia ligjore e aktit normativ ka vlerë 45 ditë nga miratimi në Qeveri, afat brenda të cilit Parlamenti duhet ta kthejë atë në ligj. Por nga pikëpamja procedurale, aktet normative nuk lënë hapësirë për amendime të tekstit, për ta përmirësuar atë gjatë procesit legjislativ, pasi Kuvendi ka vetëm dy mundësi, ose I miraton ose I rrëzon ato ashtu siç janë.
Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.
Kushtetuta
Gjatë vitit 2022, katër nga emergjencat e apeluara nga Qeveria lidheshin me amendimin e marrëveshjes së vaksinave me kompaninë Pfizer. Ndonëse nuk jemi më në kushtet e emergjencës pandemike, sërish deputetët votojnë një marrëveshje sekrete financiare.
Ndërsa në tri raste të tjera ky mjet është përdorur për të ndryshuar buxhetin vjetor, i njohur ndryshe dhe si ligji më i rëndësishëm i vitit.
Nëse do të prisnim gjashtë deri në tetë orë energjinë në ditë do të bënim paketa edhe më bindëse.
Kryeministri Rama, 8 shtator 2022
Kriza energjetike dhe pasojat e saj bëri që qeveria të miratonte këtë vit pesë akte normative, një për menaxhimin e krizës dhe katër për bordet e transparencës që erdhën si masa të jashtëzakonshme pas protestave në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Krahasuar me vitin 2021, trendi i përdorimit të akteve normative është në rënie. Vitin e kaluar ky instrument u përdor 36 herë nga Qeveria, kryesisht lidhur me pandeminë Covid-19. (A2 Televizion)