Amfetaminë e prodhuar nga ISIS, policia italiane sekuestron 14 tonë drogë në Salerno

Nga A2 CNN
1 Korrik 2020, 14:17 | Bota
Amfetaminë e prodhuar nga ISIS, policia italiane sekuestron 14 tonë

Policia italiane ka sekuestruar 14 tonë pilula amfetamine të llojit “Kaptagon” që vinin nga Siria, të cilat kapin një vlerë rreth 1 miliard euro.

Autoritetet e përshkruajnë këtë si një sukses të jashtëzakonshëm pasi është një ndër sasitë më të mëdha të drogës të kapura në të gjithë botën.

Hetuesit bëjnë me dije se konfiskuan 3 konteinerë të mbushur me cilindra letre për përdorim industrial në portin e Salernos në jug të Italisë, me rreth 84 milionë pilula brenda.

“Kaptagon” është një ndër disa emërtimet për fenetilin hidroklorid, një drogë që bën pjesë në familjen e amfetaminës, një stimulues për sistemin nervor qendror. Kjo lloj droge mund të largojë frikën dhe lodhjen, ndërsa është më popullore në vendet e Lindjes së Mesme.

Policia italiane shton se “Kaptagon” konsiderohet ndryshe dhe si “droga e xhihadistëve” pasi është zbuluar shpesh në vendqëndrimet e terroristëve të ISIS, përfshirë në komandon që ishte prapa sulmeve në Paris në nëntorin e vitit 2015.

Hetuesit besojnë se izolimi i vendosur në të gjithë Europën për shkak të pandemisë ka bllokuar prodhimin dhe shpërndarjen e drogave sintetike në kontinent, duke detyruar trafikantët të marrin dërgesa nga Siria. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos