
Të mërkurën pasdite socialistët do të mësojnë më në fund planet e kryetarit të tyre në lidhje me organizimin partiak. Deri në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Edi Rama vijon t’i mbajë pezull të gjitha pretendimet apo dëshirat e të socialistëve për poste drejtuese, ku një prej atyre me rëndësi është edhe vendi vakant për drejtimin e grupit parlamentar.
Nëse zëvendësuesi i Taulant Ballës do të vijë nga radhët e ekzekutivit, automatikisht do të përkthehet në ndryshime të kabinetit qeveritar.
Asnjë informacion nuk është ndarë me deputetët sa i përket axhendës së Asamblesë, përveç dijenisë për fjalën e Kryeministrit Rama për një analizë të gjatë mbi rezultatin e 14 majit përballë kryebashkiakëve të rinj socialist si dhe drejtuesve politik të 12 qarqeve.
Të deleguarit politikë do të varen nga rezultatet në nivel qarku, ku humbja në Himarë dhe tensionimi diplomatik mes Tiranës dhe Athinës që pasoi arrestimin e Alfred Belerit, nuk do të kalojnë pa vëmendje.
Ndërkohë Kukësi do të jetë më specifik, pasi Rama duhet të gjejë edhe emrin me të cilin do të futet sërish në garë për të fituar bashkinë, pas largimit të Safet Gjicit.
Pak ditë më parë, qeveria nisi me ndryshimet në këtë qark, fillimisht duke emëruar prefektin e ri, Albert Halilaj, një projeksion i mundshëm i socialistëve edhe për bashkinë.
Pasi t’i japë porositë e fundit partisë për nisjen e sezonit të ri politik në shtator, fokusi i Ramës do të spostohet te ministrat, të cilët do t’i mbledhë më 28-29 korrik në Tepelenë për të bërë analizën e punës së qeverisë. Përveçse kabinetit, i pranishëm në këtë retreat do të jetë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste. (A2 Televizion)