
Rreth 1000 efektivë policie do të rreshtohen përgjatë kryeministrisë, por edhe para institucioneve kryesore të vendit. Vëmendje e veçantë iu është kushtuar godinave të ambasadave, për të cilat janë marrë masa sigurie shtesë.
Nuk do të mungojnë repartet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, forcat speciale RENEA, por edhe forcat zjarrfikëse, si edhe ambulancat. E pranishme do të jetë edhe Policia Kriminale, por deri tani nuk ka pasur informacione për pjesëmarrjen e mundshme të elementeve me precedentë penalë në protestë.
Policia ka kufizuar ose bllokuar parkimin e automjeteve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe rreth Piramidës. Ndërkohë mësohet se do të ngrihet edhe një postbllok pranë Fakultetit të Ekonomisë, por edhe kryqëzimit mes rrugës së “Kavajës” dhe unazës së madhe pasi nuk do të lejohet futja e autobusëve me tubues në brendësi të qytetit. (A2 Televizion)