
Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni ka përshëndetur vendimin e ministres së Arsimit, Besa Shahini për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve për organet drejtuese në institucionet e arsimit të lartë.
Koni shprehu gatishmërinë se pas caktimit të datës së re për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, autoritetet do të vijojnë punën për përgatitjen e tyre që të jenë në zbatim të procedurave ligjore dhe ligjit për arsimin e lartë
“Shpreh falënderimet dhe përgëzimet e mia, për ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për nxjerrjen e Urdhrit me të cilin, shtyhet data e zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë. Pas përcaktimit të datave nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, për hapjen e procesit zgjedhor dhe datës së zhvillimit të zgjedhjeve, ju siguroj se autoritetet dhe organet drejtuese të Universitetit të Tiranës, do të vijojnë në mënyrë të menjëhershme me përgatitjen e zgjedhjeve, me qëllim zhvillimin e tyre sipas të gjitha hapave dhe procedurave ligjore, të përcaktuara në Rregulloren e Zgjedhjeve. Procesi zgjedhor që do të zhvillohet në Universitetin e Tiranës, do të përmbushë të gjitha parimet kushtetuese; do të zbatojë ligjin e arsimit të lartë 80/2015 dhe të gjitha aktet nënligjore në fuqi; do të jetë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës”, shkruan Mynyr Koni. (A2 Televizion)