
Dështojnë negociatat mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke bërë që të anulohen fluturimet në Rinas. Shkak është bërë greva e punonjësve të Albcontrol, kompanisë që menaxhon kontrollin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Ministrja Belinda Balluku tha se kjo protestë ka ardhur për shkak se punonjësve iu janë ulur të ardhurat gjatë vitit 2020, sepse për shkak të pandemisë janë ulur me 57% fluturimet.
“Albcontrol nuk ka lidhje financiare me shtetin shqiptar dhe në fund të vitit financiar nuk duhet të kenë fitim. Disa prej rrogave arrijnë në 4440 dollarë, dhe për shkak të uljes së fluturimeve iu është ulur në 2400 dollarë. Kompania nuk ka depozita për t’u dhënë atyre para. Dhe duhet ta kenë të qartë që po punohet me 43% e trafikut ajror. Por kontrollorët duan të kenë paratë që janë mësuar të kenë sepse është niveli i jetesës që kanë. Pra nëse nuk kanë 4000 dollarë në dispozicion, stresohen dhe nuk punojnë dot”.
Balluku tha se Albcontrol është e vetmja kompani që ofron këtë shërbim, në kushtet e monopolit. Dhe si e tillë, greva e tyre është e jashtëligjshme, pasi nuk mund të ushtrohet në shërbime të rëndësisë jetike.
“A duhet të kapet vendi peng sot nga disa persona që janë të stresuar me pagën 2490 dollarë dhe nëse nuk ia bëjnë 4400 dollarë, ata do të mbajnë vendin peng?”, shtoi Balluku. “Erdha për t’i thënë që nuk është një lojë, pasi nga ky koment do të na duhet të marrim masa ligjore që nuk do të jenë të mira për askënd”. (A2 Televizion)