Dhuna në familje mbetet një fenomen mjaft shqetësues për shoqërinë tonë dhe shpesh ajo zë vendin kryesor në komunikatat ditore të policisë.
Ndërgjegjësimi i të gjithë faktorëve të shoqërisë merr një rëndësi primare, sidomos puna me brezin e ri. Pikërisht këtij qëllimi i shërbeu takimi i organizuar me gjimnazistë e liceut artistik “Jan Kukuzeli” e jo vetëm me një panel specialistësh të Zyrës Arsimore Vendore, Policimit në Komunitet, avokatë e psikologë.
Nisur nga eksperienca e gjatë në terren dhe denoncimet në komisariat, inspektori i policisë Arben Hushi apeloi për një përdorim të mirëkontrolluar të rrjeteve sociale, që shpesh i ekspozojnë të rinjtë ndaj fenomeneve të dhunës. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe avokatja Rezarta Agolli, e cila vuri theksin në një lloj të veçantë dhune, që ka marrë përhapje të gjerë vitet e fundit. Gjithnjë e më shpesh, të rinjtë po bëhen viktima të dhunës nga partnerët apo ish-partnerët, që i shantazhojnë përmes materialeve audio vizuale intime.

Kryefaqja e të gjithë penalistëve ishte apeli drejtuar të rinjve për të denoncuar rastet e dhunës pranë organeve kompetente. Për të parandaluar raste tragjike si ai i dy ditëve më parë në Klos, ku humbën jetën 3 persona, specialistja e ZVA Durrës, Genciana Çako u ndal tek rëndësia që ka koordinimi i punës së të gjitha hallkave në shkolla si staf pedagogjik, psikologë, punonjësi i policisë etj.
Shumë nga nxënësit e pranishëm prej gati dy vitesh janë bërë pjesë vullnetarisht në fushata sensibilizimi ndaj dhunës, siç ishte nisma “Këpucët e kuqe”, e regjisores së njohur Driada Dervishi, që startoi në Durrës më 8 mars 2021, për të marrë një shtrirje shumë më të gjerë 8 marsin e këtij viti. Për të gjithë nxënësit që kontribuuan për lyerjen e qindra këpucëve të kuqe që mbuluan sheshin kryesor të Durrësit, shoqata Bash-Art shpërndau 10 certifikata.

Ndërkohë, në një hapësirë të veçantë të shkollës artistike ishte vendosur instalacioni i krijuar nga artistja Florina Shani, i cili do të qëndrojë i hapur për 1 muaj pranë shkollës “Jan Kukuzeli” në Durrës.
Mes këpucëve të kuqe, që simbolizojnë gjakun e viktimave të dhunës dhe baltës që shpesh hidhet mbi to, artistja kishte menduar t’u përcillte të rinjve mesazhin se shpesh mjafton vetëm pak për të marrë një jetë, prandaj askush nuk duhet të rrijë indiferent ndaj dhunës. (A2 Televizion)