
Një muaj nën pushtetin e ujit, banorët e Nënshkodrës përveç problematikave dhe vuajtjeve humanitare dhe njerëzore, po nxjerrin në pah edhe dëmet e shumta ekonomike në të mbjella dhe investimet që kanë bërë në pemëtari dhe blegtori.
Lek Kopshti nga fshati Dajç, nuk nguron të shprehet se investimet e tij disavjeçare në kultivimin e pemëve dekorative janë shkatërruar nga përmbytjet.
Me dhimbje ai kujton se të gjitha kursimet nga emigracioni i ka hedhur në Dajç dhe tashmë ia ka mbuluar uji.
Lek Kopshti shikon si të vetmen mënyrë për të rikuperuar diçka nga investimi që ka bërë, ndihmën e shtetit edhe për këtë arsye apelon me shpresë se dikush do ta dëgjojë.
Gjithë zona e Nënshkodrës ka rreth një muaj nën pushtetin e ujit, duke shkatërruar bujqësinë dhe blegtorinë e kësaj zone, që janë e vetmja mënyrë që siguronin të ardhurat e këtyre familjeve. (A2 Televizion)