
Media italiane Meridio News i ka kushtuar një artikull të gjatë çështjes së zhdukjes së shqiptarit, Moisi Habilaj, në Catania, narkotrafikanti për të cilin gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me 15 vjet e 5 muaj burg për trafik droge.
Prej së shtunës, Moisi Habilaj nuk përgjigjet në telefon dhe autoritetet e kanë të vështirë të lidhen me të. “Meridio News” bën një përmbledhje të të gjithë procesit, ku tregon se Habilaj ndodhej në arrest shtëpie në një apartament të vogël në San Michele di Ganzaria në Katania, pasi Gjykata e Shkallës së parë e kishte dënuar për trafik droge.
Vendimi i Apelit bëri që ai të largohej menjëherë nga banesa dhe tashmë është shpallur në kërkim. Por, policia italiane ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për këtë çështje dhe për faktin se përse ky person qëndronte në arrest shtëpie pa një byzylyk me GPS.
Avokatët mbrojtës të Habilaj përjashtojnë ekzekutimin e një urdhri ekstradimi në Shqipëri, vend në të cilin ai është përballur me një hetim paralel me atë të gjyqësorit italian.
Në fazat e hershme të gjykimit të shkallës së parë, Habilaj krijoi idenë për të biseduar me magjistratët, pa u deklaruar kurrë bashkëpunëtor i drejtësisë.
Një hetim nga zyra e prokurorit të Katanias në tetor 2017 zbuloi ekzistencën e një kanali të vendosur për furnizimin me drogë dhe armë midis Shqipërisë dhe Sicilisë.
Biznesi milioner në hijen e klanit Cappello dhe familjes Cosa Nostra dei Santapaola-Ercolano. Një histori si shumë të tjera, nëse nuk do të zbulohej se Habilaj është kushëriri i ish-ministrit të Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri.
Edhe ai përfundoi si i hetuar e më pas çështja ndaj tij u arkivua, nga zyra e prokurorit të Katanias, mbi dosjen e bandës së drejtuar nga 43-vjeçari, Moisi Habilaj.
Prokuroria e Tiranës për Krime të Rënda hetoi gjithashtu me politikanin, duke e dënuar atë me tre vjet për abuzim me pushtetin, por duke e shpallur të pafajshëm për përfshirjen e tij të pretenduar në botën e trafikut të drogës. Procedimi, megjithatë, nuk është mbyllur ende dhe dëshmia e Habilaj mund të jetë vendimtare. (A2 Televizion)