
“Në një republike demokratike, nuk ka pse të ketë një instancë sipërore për të arrestuar një kriminel.” Ka qenë kjo përgjigjja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i pyetur nga gazetarët rreth “ftohjes” së ndërkombëtarëve pas tensioneve në Veri.
Një nga gazetarët në sallë i kujtoi kryeministrit Kurti se BE-ja, më konkretisht përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Fqinjësinë dhe Politikat, Josep Borrell, i “tërhoqi veshin” Kosovës për mungesën e konsultave paraprake përpara se të arrestohej Milun Milenkovic- Llune.
Por, Kurti theksoi se Policia Speciale e Kosovës nuk ka pse të pyesë për të arrestuar kriminelë. Ai tha se edhe ai vetë nuk pyetet kur vjen puna tek arrestimet.
“Ne i bindemi Kushtetutës dhe ligjit. Në një republikë demokratike, për të arrestuar një kriminel, nuk ka pse të ketë instancë sipërore. As unë nuk e di kur arrestohet një kriminel. Ka arrestime që unë i shoh saktësisht në të njëjtën kohë kur ndodhin. Kur e keni marrë vesh ju, e kam marrë vesh unë. Veprimet operacioale, kur duhet të arrestohet dikush, nuk janë punë e imja dhe as e ndonjë zyrtari ndërkombëtar. Sundimi i ligjit është punë e policisë operacionale. Nuk duhet të politizohen operacionet policore. Nuk bëj dot pazare në kurriz të kushtetueshmërisë. Sundimi i ligjit në Veri të Kosovës, nuk mund të jetë special, në krahasim me pjesën tjetër. Policia e zbaton ligjin, si në veri të Kosovës, ashtu edhe në pjesë të tjera. Sundim i ligjit, jo sundim me ligjin. Ne jemi në këto pozita shtetërore sepse Kosova është republike demokratike."
Kreu i qeverisë theksoi se për takime me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve është kurdoherë gati. Por, “në Kosovë respektohet ligji dhe kushtetuta.” (A2 Televizion)