Arabia saudite mohon takimin sekret Netanyahu-Bin Salman

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2020, 16:53 | Bota
Arabia saudite mohon takimin sekret Netanyahu-Bin Salman

Ende nuk dihet nëse ka ndodhur apo jo, por deklaratat nga palët janë kontradiktore. Ministri i jashtëm i Arabisë Saudite ka mohuar që kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu, të ketë udhëtuar drejt Mbretërisë për një takim sekret me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman. “Nuk ka ndodhur një takim i tillë”, shkruan në Twitter, Princi Faisal bin Farhan Al Saud.

Vetë Netanyahu nuk ka komentuar raportimet e mediave izraelite se ai ishte në bordin e një avioni privat që udhëtoi nga Tel Avivi për qytetin Neom, ku Princi i Kurorës mbajti një takim me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo. “Të vetmit zyrtarë të pranishëm ishin të SHBA-ve dhe Arabisë Saudite”, thekson ministri Al Saud. Megjithatë sajtet që gjurmojnë fluturimet evidentuan një udhëtim direkt nga Tel Avivi për në Neom të dielën nga një avion i përdorur shpesh nga kryeministri izraelit. i pyetur për këtë, Netanyahu tha se vetëm po zgjeron rrethin e paqes.

Ndërsa ministri i tij i arsimit, Yoav Gallant, konfirmoi zhvillimin e takimit të fshehtë, duke e konsideruar atë një arritje të madhe. Në këtë linjë edhe televizioni publik izraelit, KAN, që citon disa burime, të cilat konfirmuan takimin dhe pjesëmarrjen edhe të kreut të inteligjencës, Yossi Cohen. Do të ishte takimi i parë i njohur midis udhëheqësve të armiqve historikë, ndërsa SHBA po ndërmjetëson prej kohësh mes vendeve që të normalizojnë marrëdhëniet.

Presidenti Donald Trump kohët e fundit ndërmjetësoi dhe marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Sudanit. Arabia Saudite i mirëpriti me kujdes lëvizjet, por ka treguar se nuk do të ndiqte shembullin derisa të kishte një marrëveshje paqeje midis Izraelit dhe Palestinezëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos