
Largimin e Arben Ahmetaj nga Shqipëria, ndërsa SPAK kërkon arrestimin e tij, Sali Berisha e cilëson arratisje, si tentativa e vetme e deputetit socialist për t’i shpëtuar prangave. Kreu i Rithemelimit, nga selia blu, pretendon se ish-numri i qeverisë është lajmëruar nga Prokuroria e Posaçme para se Altin Dumani të njoftonte Parlamentin.
“Për herë të parë në historinë e vendit, super-ministri apo zv/kryeministri “de facto” i organizatës kriminale të drejtuar nga Rama, arratiset. Sipas dokumenteve zyrtare, Arben Ahmetaj u arratis disa orë përpara se prokuroria e partisë do të kërkonte në Parlament lejen për arrestimin e tij. Mesa duket, prokuroria, ose kontrollorët e saj, njoftuan Ahmetajn para se të njoftonin Parlamentin për vendimin e arrestimit të tij”, tha Berisha.
Hetimi ndaj ish-zv/kryeministrit për një dosje që deri më tani ka çuar në burg një tjetër ish-ministër dhe një deputet socialist, për Sali Berishën tregon moralin e ekzekutivit të Ramës, të cilit i referohet me një tjetër emërtesë: “Arratisja e Ahmetajt apo dërgimi i tij në azil nga Edi Rama, shënon kulmin e degradimit të organizatës kriminale, por edhe të poshtërimit të shoqërisë shqiptare”.
Akuzat e ngritura nga SPAK ndaj Ahmetajt tregojnë sipas Berishës kapjen politike të Prokurorisë së Posaçme, konsideruar që djegësat, siç i quan demokrati, do të digjnin edhe pushtetarë të tjerë: “Prokuroria Speciale faktoi dje përfundimisht se është një vegël mjerane në duart e bosit të aferës së djegësave sepse nuk guxoi ta akuzonte Arben Ahmetajn për dhënien e bonusit për një kompani që nuk ekzistonte”.
Duke iu referuar fakteve të dosjes, Sali Berisha krijon bindjen se SPAK kontrollohet nga kryeministri Edi Rama, për të cilin thotë se zbaton politikën e kokave të turkut, në interes të pushtetit të tij. (A2 Televizion)