“Futu ti i pari”... Respekti mes Putin dhe Kim Jong Un

Nga A2 CNN
3 Shtator 2025, 09:46 | Kapur në kamera

Presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, kanë ndarë një udhëtim në limuzinë gjatë qëndrimit të tyre në Pekin, ku morën pjesë në aktivitetet për të shënuar 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shkruan A2 CNN.

Kremlini publikoi në rrjetet sociale një video ku shfaqeshin dy liderët teksa udhëtonin së bashku drejt një pritjeje zyrtare. Të dy shihen teksa ftojnë me zell njëri-tjetrin për t’u futur në makinë. Para këtij momenti, ata kishin zhvilluar takime dypalëshe në kompleksin shtetëror kinez.

Takimi dhe gjestet miqësore mes Putin dhe Kim Jong-un theksuan marrëdhëniet e ngushta politike dhe diplomatike që Rusia dhe Koreja e Veriut po ndërtojnë në një kohë tensionesh globale. Koreja e Veriut madje ka dërguar trupa për të luftuar krah Rusisë kundër Ukrainës.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, mirëpriti disa liderë botërore teksa hapi të mërkurën paradën më të madhe ushtarake ndonjëherë, një demonstrim i fuqisë në rritje ushtarake dhe ndikimit gjeopolitik.

Parada 70-minutëshe përfshiu fluturime ajrore spektakolare, trupa marshues dhe një sërë pajisjesh moderne luftarake, përfshirë raketa hipersonike, dronë pa pilot dhe tanke të sofistikuara. Xi Jinping inspektoi trupat e rreshtuar me përpikëri përpara se të mbante fjalimin kryesor përpara të ftuarve dhe opinionit publik.

Për të siguruar mbarëvajtjen e ngjarjes, rrugët kryesore dhe shkollat në Pekin u mbyllën, pas javësh përgatitjesh intensive sigurie dhe provave gjatë natës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos