Greqia ndodhet në një situatë të vështirë pasi zjarret po përhapen me shpejtësi në shumë zona. Të dielën dy helikopterë që po shuanin flaket në perëndim të Athinës janë përplasur me njëri-tjetrin. Mësohet se helikopterët u morën me qira nga departamenti i zjarrfikësve dhe secili kishte një ekuipazh prej dy personash, shkruan A2 CNN.
Më herët të dielën, kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha se vendi po përballet me "kushte ekstreme të motit" dhe paralajmëroi për ditë "jashtëzakonisht të vështira" që na presin mes zjarreve të vazhdueshme. Ai thotë se erërat kanë arritur në 100 kilometra në orë, që do të thotë se "dhjetëra avionë nuk mund të operojnë në mënyrë të sigurt".
Mitsotakis gjithashtu i ka bërë homazhe tre zjarrfikësve që vdiqën duke u përballur me zjarret në të gjithë vendin në fillim të javës dhe vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të ekipeve të zjarrfikësve, vullnetarëve dhe personelit ushtarak. Në ishullin e Kretës, zjarret kanë djegur mijëra hektarë tokë dhe kanë shkaktuar evakuimin e përkohshëm të 8000 njerëzve. (A2 Televizion)