Tension në dyert e SPAK, mbështetësit e Berishës konfrontohen me policinë

Nga A2 CNN
11 Shtator 2024, 12:23 | Kapur në kamera

Momente tensioni në dyert e SPAK. Mbështetësit e Sali Berishës, të cilët u mblodhën para godinës së Prokurorisë së Posaçme teksa kryetari i PD po shkonte për t’u njohur zyrtarisht me akuzën që rëndon ndaj tij, janë konfrontuar me efektivët e policisë, shkruan A2 CNN.

Disa persona u shoqëruan nga policia. Të pranishëm në protestën e paralajmëruar ishin edhe deputetë dhe funksionarë të lartë të Partisë Demokratike, si Flamur Noka, Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi.

Pasi mbërriti në SPAK, Berisha deklaroi se arrestimi i tij ishte bërë me urdhër politik dhe se akuza nuk kishte asnjë fakt kundër tij.

“Jam sot për t’u paraqitur atyre zotimin solemn se Edi Rama jo që nuk do të marrë dot në këtë mënyrë mandat të katërt, por shumë shpejt do ta lëshojë atë me pjesën e trupit që ka më qejf në tokë. Prokuroria politike e Edi Ramës, bazuar në kallëzimin e rremë të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, dhe ish-ministrit të Brendshëm Taulant Balla, ka hetuar Sali Berishën në 3 breza deri te mbesat e tij, qysh kur ato nuk kishin lindur akoma. Ata kanë hetuar veprimtarinë e Partisë Demokratike duke filluar para 20 vitesh e deri te kandidatët për kryetar bashkie në vitin 2023. Por, me urdhër politik, mercenarët e prokurorisë politike të Edi Ramës, mbajnë në arrest antikushtetues kryetarin e opozitës prej 255 ditësh, pa asnjë fakt, dokument apo dëshmi, përveçse me dëshirën e Edi Ramës”, theksoi Berisha, siç shkruan A2.

8 muaj mes 4 mureve

Më 21 tetor 2023, ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi u dhanë masa sigurie, pasi dyshoheshin për “korrupsion” gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, siç raporton A2.

Për ish-kryeministrin, SPAK kishte marrë miratim nga Gjykata e Posaçme për masën e “detyrimit për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. E njëjta masë edhe për biznesmenin Fatmir Bektashi, ndërsa për Jamarbër Malltezin ajo e “arrestit në burg”.

Sipas SPAK, nga karrigia e kreut të qeverisë, Sali Berisha kishte miratuar ligje dhe akte nënligjore që i kishin hapur dritë jeshile dhe favorizuar privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ku mes anëtarëve të ish-pronarëve përfitues ishte edhe Malltezi. Dhëndri i ish-kryeministrit u prangos në Rinas. Videoja bëri xhiron e rrjetit sa hap e mbyll sytë. Sali Berishës sakaq iu shtua një tjetër front. Ai kundër SPAK. Në ditët në vijim, Gjykata e Posaçme la në fuqi të tre masat. Ish-kryeministri zgjodhi të mos paraqitej në seancë, ku dërgoi vetëm avokatët. Sipas vendimit të Gjykatës, Berisha duhet të paraqitej dy herë në muaj në SPAK. Duke e konsideruar si të paligjshëm e të pabazuar, vendimi u injorua tërësisht nga ish-kryeministri.

SPAK e priti, por ai nuk mbërriti asnjëherë në prag në ditët e caktuara nga gjykata. Përpjekja e liderit demokrat për të rrëzuar masën në Apelin e Posaçëm dështoi. Ndërsa Jamarbër Malltezi mundi të lirohej nga qelia dhe të shkonte në “arrest shtëpie”. Injorimi disa herë me radhë i gjykatës nga Berisha nuk u tolerua nga SPAK, që në dhjetor kërkoi ashpërsim të masës së sigurisë. Më 30 dhjetor 2023 gjyqtarja Irena Gjoka vlerësoi se masa duhej ashpërsuar dhe urdhëroi dërgimin e ish-kryeministrit në “arrest shtëpie”.

Në të njëjtin vendim gjykata i pengonte atij komunikimin me persona të tjerë përveç familjarëve. Berisha iu bind vetëm izolimit në shtëpi. Nga dritarja e banesës së tij ai nisi një maratonë fjalimesh, që ndiqeshin nga dhjetëra mbështetës në rrugicë, e shumë të tjerë përmes teknologjisë.

Nga ana tjetër, avokatët e tij vijuan betejën në disa fronte, duke kërkuar në mënyrë të përsëritur zëvendësim të masës dhe shfuqizim të saj. Në të gjitha rastet, në të tre shkallët e gjykimit, morën përgjigje negative. Refuzim nga gjykatat mori edhe në një kërkesë për leje të posaçme të ish-kryeministrit për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend.

Sali Berisha nuk e ka ndalur asnjë çast aksionin e tij publik politik, por prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar liria u nda prej tij. Prej gati 8 muajsh të vetmet orë lirie i ka shijuar paraditen e 23 janarit, kur ishte në SPAK për të dhënë deklarime. E dyta mundësi për të dalë nga shtëpia, ende pa i ndryshuar masa e sigurisë, është kjo e mërkurë, kur lideri demokrat pritet të paraqitet në SPAK për t’u njohur me përfundimin e hetimit ndaj tij dhe nëse do të merret apo jo i pandehur nga Struktura e Posaçme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos