Kanë kaluar pesë vite nga një prej rasteve më të bujshme në aviacionin amerikan, që vijon të diskutohet ende. Ngjarja ndodhi në janar të vitit 2020, kur Kina po ndërtonte spitale të përkohshme përballë një virusi ende të panjohur, që më vonë do të shndërrohej në pandeminë globale.
Një avion i Delta Airlines, me destinacion Shanghain nga Los Anxhelosi, hasi vështirësi në ngritje për shkak të peshës. Për të shmangur një ulje emergjente me peshë të tepërt, piloti vendosi të lëshonte mbi gjashtë tonë karburant në ajër. Avioni u kthye në aeroportin e Los Anxhelosit, por manovra solli pasoja të rënda: dhjetëra mijëra banesa dhe shkolla në zonë u prekën nga shiu i karburantit.
Banorët ngritën një padi kolektive, duke akuzuar kompaninë se zbrazi karburantin në një zonë të populluar dhe në lartësi shumë të ulët, kur kishte alternativa më të sigurta – siç ishte oqeani Paqësor ose djegia e karburantit gjatë fluturimit në qarqe, shkruan A2 CNN.
Pas një beteje gjyqësore disa vjeçare, Delta Airlines pranoi të shlyejë 78,75 milionë dollarë (67 milionë euro), të cilat do të ndahen mes banorëve dhe pronarëve të prekur.
Megjithatë, kompania vazhdon të mbrojë pilotët, duke theksuar se ata vepruan sipas rregullave federale dhe trajnimit të miratuar nga FAA. Edhe vetë Administrata Federale e Aviacionit, pas hetimeve, i shfajësoi nga çdo shkelje. (A2 Televizion)