E mahnitshme, çifti vjen nga Australia për t'u martuar në Shkodër

Nga Armend Pire
9 Shtator 2025, 17:45 | Lifestyle

Shqiptarët nuk i kanë thënë kurrë “jo” dasmave, veçanërisht atyre tradicionale dhe fetare. Edhe pse të mërguar, ata janë kthyer në vendlindje për të trokitur gotat e gëzimit me familjarët, farefisin dhe shoqërinë, në momentin më të bukur të jetës, martesën.

Në episodin e parë të emisionit Hotspot në A2 CNN, gazetari Armend Pire udhëtoi drejt Shkodrës, aty ku Xhulio dhe Maria vendosën të kurorëzohen. Ata jetojnë prej vitesh në Australi, por zgjodhën t’i thonë njëri-tjetrit “po” aty ku kanë rrënjët familjare. Për t’u martuar zgjodhën Katedralen e Shën Shtjefnit, ku Dom Mark Pashkja i priste për t’u dhënë bekimin e Zotit.

“Jetojmë në Australi, por erdhëm në Shqipëri për t’u martuar, pasi kemi familjen, kushërinjtë. Është një gjë e veçantë. Deshëm një dasmë tradicionale, sepse kështu është lezeti, kështu na kanë mësuar prindërit tanë. Vendosëm të martohemi në Kishë, sepse Zoti është i shenjtë,” – tha Xhulio për A2 CNN.

Më e emocionuar nga ky kurorëzim ishte Maria, e cila momentet e përjetuara në Katedralen e Shën Shtjefnit i përshkroi si një ditë të paharrueshme.

“Dëshira për të mbledhur njerëzit, për të parë të afërmit tanë duke festuar për dashurinë tonë... Kisha është e rëndësishme për të dy, sepse kjo është e rrënjosur në familjet tona që prej kohësh. Ka qenë dëshirë e përbashkët të kishim një kurorëzim në Kishë. Është një ditë, një emocion që nuk kam fjalë ta përshkruaj,” – tha Maria.

Sipas Dom Mark Pashkjës, nga viti në vit, numri i çifteve që zgjedhin të kurorëzohen në Kishë është në rritje. Tradita dhe besimi ndërthuren kur bëhet fjalë për ditët më të rëndësishme të jetës.

“Të gjitha çiftet katolike, që jetojnë përditshmërinë sipas doktrinës së krishterë, janë jo vetëm të ftuar, por në një farë mënyre edhe të thirrur që t’i thonë ‘po’ njëri-tjetrit para Zotit. Martesa është një prej shtatë sakramenteve, ose, siç njihet ndryshe, një nga shtatë kurorat që përbëjnë besimin e krishterë. Ajo simbolizon lidhjen mes Krishtit dhe Kishës, besnikërinë e dashurisë së përjetshme, në të mirë dhe në të keqe, dhe lutjen që Zoti të jetë gjithmonë i pranishëm për të bekuar këtë bashkim. Martesa është kurorëzimi i një dashurie dhe fillimi i një etape të re, jo më si dy individë, por si një trup i vetëm. Numri i të krishterëve që kërkojnë të martohen në Kishë është gjithmonë në rritje. Vetëm dashuria mund ta ndryshojë botën. Sa më shumë dashuri për të gjithë! Ky është urimi dhe mesazhi që të gjithë duhet ta përjetojmë në jetën tonë personale,” – tha Dom Mark Pashkja për A2 CNN.

Nga Australia kishin ardhur edhe miq të çiftit, të cilët e shijuan shumë ceremoninë. Ata thanë se martesa në Shqipëri është unike krahasuar me vendin e tyre.

“Jam shumë i lumtur për Xhulion. E njoh prej 19 vitesh dhe ai më bëri të lumtur. Ishte hera e parë që vija në Shqipëri, dhe jam i lumtur që erdha për një dasmë. Dasma ishte ndryshe nga ato që bëhen në Australi. Ishte shumë e ngjashme me dasmat italiane, por e dashuroj këtë. E mahnitshme,” – tha shoku i dhëndri (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos