Një kështjellë e braktisur në malësitë e Skocisë, dikur shtëpia e kreut të perandorisë së birrës Tennent's, është sot një dëshmi mbresëlënëse e fuqisë së natyrës.
Dunalastair House, e ndërtuar në vitin 1859 në qytetin Pitlochry të Perthshire nga arkitekti skocez Andrew Heiton, dikur ishte një rezidencë madhështore. Por tani, fotot e kapura nga ajri tregojnë një tjetër realitet: pemë, ferra dhe bari kanë pushtuar pothuajse çdo dhomë bosh të godinës, ndërsa ndërtesa është zhytur në harresë dhe gjelbërim.
Fillimisht, kjo ishte rezidenca e Gjeneralit Sir John Macdonald, komandant i forcave tokësore në Skoci. Pas vdekjes së tij, i biri Alastair ia shiti pronën në vitin 1881 Hugh Tennent-it – trashëgimtar i perandorisë së famshme të birrës skoceze "Tennent's". Por Tennent jetoi pak kohë aty, pasi ndërroi jetë në moshën 27-vjeçare.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dunalastair House u kthye në shkollë për fëmijët e refugjatëve polakë, por pësoi një zjarr shkatërrues që dogji mes të tjerash edhe një pikturë të vlefshme të artistit John Everett Millais.
Pas vitit 1952, rezidenca u braktis dhe përmbajtja e saj u shit në ankand. Në vitet 1960, godinës iu hoqën pjesët prej plumbi nga çatia dhe vandalizmi përshpejtoi shkatërrimin.
Sot, muret e kalasë janë të plasaritura, bar i gjatë del nga dritaret. Megjithë disa përpjekje për restaurim ndër vite, kostot e larta kanë bërë që askush të mos mund ta rikthejë në lavdinë e dikurshme. (A2 Televizion)