Në një zonë të largët të pyjeve tropikale malore në Kuinslandin Verior (Queensland) në Australi, shkencëtarët kanë zbuluar një specie të re të insektit shkop, e cila besohet të jetë më e rënda e gjetur ndonjëherë në vend. Specia e re, e quajtur Acrophylla alta, peshon 44 gramë, afërsisht sa një top golfi, dhe arrin një gjatësi prej 40 centimetrash, shkruan A2 CNN.
Zbulimi është bërë nga profesori Angus Emmott i Universitetit James Cook. Ai shpjegoi se madhësia e pazakontë e insektit mund të jetë një përshtatje evolucionare ndaj kushteve të ftohta dhe të lagështa të habitatit të tij. “Masa e trupit mund të ndihmojë që të mbijetojë në kushte më të ftohta, ndaj ka evoluar në këtë madhësi gjatë miliona vjetëve”, deklaroi Emmott.
Kjo specie është gjetur në majat e larta të pyjeve tropikale, ku qasja është jashtëzakonisht e vështirë. Sipas Emmott, izolimi i habitatit ka ndikuar që specia të mbetej e pazbuluar për kaq gjatë. “Jeton lart në kurorën e pemëve dhe në një zonë shumë të kufizuar. Vetëm nëse ndonjë ciklon ose zog e sjell poshtë, dikush mund ta shohë”, tha ai.
Zbulimi u konfirmua edhe përmes vezëve të veçanta të insektit. Çdo specie e insektit shkop ka vezë me forma, struktura dhe tekstura unike, që ndihmojnë në identifikimin e tyre.
Dy ekzemplarë të Acrophylla alta janë shtuar në koleksionin e Muzeut të Kuinslandit, për të ndihmuar në studime të mëtejshme shkencore mbi këtë insekt mbresëlënës. (A2 Televizion)